Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 2:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.

2. Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kyreni ishte guvernatori i Sirisë.

3. Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

4. Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

5. për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

6. Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

7. Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

8. Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

9. Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

10. Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

11. sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

12. Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 2