Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 19:28-46 Bibla Shqip (ALBB)

28. Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.

29. Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanisë, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,

30. duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.

31. Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"''.

32. Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.

33. Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ''Përse po e zgjidhni kërriçin?''.

34. Dhe ata thanë: ''Zoti ka nevojë''.

35. Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.

36. Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.

37. Dhe kur ai iu afrua teposhtës së Malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,

38. duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''.

39. Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''.

40. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.

41. Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,

42. duke thënë: ''Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.

43. Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.

44. Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s'do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar''.

45. Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,

46. duke u thënë atyre: ''Është shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 19