Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 18:19-34 Bibla Shqip (ALBB)

19. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

20. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.

21. Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''.

22. Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''.

23. Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

24. Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25. Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.

26. Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''.

27. Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''.

28. Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.

29. Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,

30. që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''.

31. Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.

32. Ai, pra, do t'u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.

33. Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë''.

34. Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 18