Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 18:10-26 Bibla Shqip (ALBB)

10. ''Dy njerëz u ngjitën në tempull për t'u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

11. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

12. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

13. Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t'i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

14. Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartësohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartësohet''.

15. I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t'i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.

16. Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

17. Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje''.

18. Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''.

19. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

20. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.

21. Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''.

22. Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''.

23. Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

24. Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25. Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.

26. Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 18