Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 17:10-28 Bibla Shqip (ALBB)

10. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''.

11. Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12. Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrosë, të cilët ndaluan larg,

13. dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''.

14. Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15. Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte samaritan.

17. Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18. A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''.

19. Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''.

20. Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

21. dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush''.

22. Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23. Dhe do t'ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

24. Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25. Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26. Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noeut, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27. Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

28. Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

Lexoni kapitullin e plotë Luka 17