Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 17:1-20 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Është e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!

2. Për të do të ishte më mirë t'i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.

3. Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.

4. Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''.

5. Atëherë apostujt i thanë Zotit: ''Na e shto besimin''.

6. Dhe Zoti tha: ''Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thoshit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej.

7. Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?

8. A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?

9. Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.

10. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''.

11. Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12. Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrosë, të cilët ndaluan larg,

13. dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''.

14. Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15. Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte samaritan.

17. Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18. A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''.

19. Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''.

20. Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

Lexoni kapitullin e plotë Luka 17