Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 14:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;

2. dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.

3. Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: ''A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?''.

4. Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

5. Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: ''Cili nga ju, po t'i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?''.

6. Por ata nuk mund të përgjigjeshin për këto gjëra.

7. Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:

8. ''Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,

9. dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.

10. Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.

11. Sepse kushdo që e larton veten do të ulet, dhe kush e përul veten, do të lartësohet''.

12. Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: ''Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.

13. Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbrit;

14. dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve''.

15. Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: ''Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 14