Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 13:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.

2. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''A mendoni ju se ata galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?

3. Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.

4. Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?

5. Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë''.

6. Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.

7. Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s'po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".

8. Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t'i hedh pleh

9. dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh"''. Shërimi i një gruaje të paralizuar

10. Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.

11. Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.

12. Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''.

13. Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.

14. Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: ''Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë''.

15. Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: ''Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?

16. A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 13