Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 12:42-55 Bibla Shqip (ALBB)

42. Dhe Zoti tha: ''Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t'u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?

43. Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.

44. Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.

45. Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t'i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,

46. zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i caktojë fatin me të pabesët.

47. Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.

48. Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t'i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t'i kërkohet më shumë''.

49. ''Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur.

50. Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth derisa të kryhet.

51. A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;

52. sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.

53. Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet''.

54. Atëherë ai u tha akoma turmave: ''Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu", dhe ashtu ndodh;

55. përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë", dhe ashtu ndodh.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12