Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 12:25-43 Bibla Shqip (ALBB)

25. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit?

26. Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?

27. Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata.

28. Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t'ju veshë, o njerëz besimpakë?

29. Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak,

30. sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.

31. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë.

32. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t'ju japë mbretërinë.

33. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.

34. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj''.

35. Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.

36. Ngjasojuni atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t'ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.

37. Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t'i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t'i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t'u shërbejë.

38. Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t'i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.

39. Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t'i shpërthenin shtëpinë.

40. Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni''.

41. Dhe Pjetri i tha: ''Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?''.

42. Dhe Zoti tha: ''Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t'u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?

43. Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12