Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 12:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndërkaq u mblodh një turmë me mijëra, saqë shkelnin njëri-tjetrin. Jezusi filloi t'u thotë dishepujve të vet: ''Para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizia.

2. Nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që nuk do të njihet.

3. Prandaj të gjitha ato që thatë në terr, do të dëgjohen në dritë; dhe ato që pëshpëritët në vesh ndër dhomat e brendshme, do të shpallen nga çatitë e shtëpive''.

4. Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.

5. Unë do t'ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë.

6. A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë as edhe një prej tyre nuk harrohet përpara Perëndisë.

7. Madje, edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara; prandaj mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.

8. Dhe unë po ju them: Kushdo që do të rrëfeje për mua përpara njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë përpara engjëjve të Perëndisë.

9. Por ai që do të më mohojë përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë.

10. Dhe kushdo që do të flasë kundër Birit të njeriut do të jetë i falur, por ai që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do të jetë i falur.

11. Pastaj, kur do t'ju çojnë përpara sinagogave, gjykatësve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni se si ose se çfarë do të thoni për t'u mbrojtur, ose për çfarë do t'ju duhet të thoni,

12. sepse Fryma e Shenjtë në po atë moment do t'ju mësojë se ç'duhet të thoni''.

13. Atëherë dikush nga turma i tha: ''Mësues, i thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë''.

14. Por ai u përgjigj: ''O njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?''.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 12