kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Kolosianëve 3 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.

2. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë,

3. sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.

4. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.

5. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;

6. për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,

7. midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to.

8. Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj.

9. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij,

10. edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi.

11. Këtu nuk ka më grek e jude, rrethprerje dhe parrethprerje, barbar e skithas, skllav e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12. Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,

13. duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

14. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.

15. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!

16. Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

17. Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.

18. Ju gratë, jini të nënshtruara burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotin.

19. Ju burrat, duajini gratë tuaja dhe mos u bëni të hidhur ndaj tyre.

20. Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.

21. Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.

22. Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t'u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë.

23. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit,

24. duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.

25. Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë.