kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jakobit 2 Bibla Shqip (ALBB)

1. Vëllezër të mi, mos e kini me anësi besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të lavdisë.

2. Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,

3. dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rrobën e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfrit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'',

4. a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?

5. Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

6. Po ju i çnderuat të varfrit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?

7. A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?

8. Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë;

9. por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.

10. Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.

11. Sepse ai që ka thënë: ''Mos shkel kurorën'', ka thënë gjithashtu: ''Mos vrit''. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.

12. Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,

13. sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.

14. Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15. Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16. dhe dikush nga ju u thotë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka?

17. Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.

18. Po dikush do të thotë: ''Ti ke besimin, dhe unë kam veprat''; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.

19. Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.

20. Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?

21. Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?

22. Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.

23. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ''Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; dhe u quajt miku i Perëndisë.

24. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.

25. Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, kurva, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?

26. Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.