5. Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,
6. por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.
7. Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: ''Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
8. mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,
9. ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.
10. Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;
11. kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time''.
12. Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,
13. por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot", që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.
14. Sepse ne jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,
15. kur thuhet: ''Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes''.
16. Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?
17. Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s'qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?