8. Atëherë fqinjët dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ''A s'është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?''.
9. Disa thoshin: ''Ai është''. Të tjerë: ''I përngjan atij''. Dhe ai thoshte: ''Unë jam''.
10. I thanë pra: ''Si të janë hapur sytë?''.
11. Ai u përgjigj dhe tha: ''Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m'i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m'u kthye drita e syve''.
12. Dhe ata i thanë: ''Ku është ai?''. Ai u përgjigj: ''Nuk e di''.
13. Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
14. Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
15. Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ''Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh''.
16. Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre.
17. E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Është një profet''.
18. Por judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
19. Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''.