Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 9:17-36 Bibla Shqip (ALBB)

17. E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Është një profet''.

18. Por judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.

19. Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''.

20. Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,

21. por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''.

22. Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; sepse judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.

23. Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''.

24. Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''.

25. Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''.

26. E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''.

27. Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''.

28. Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!

29. Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''.

30. Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë!

31. Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush i druhet Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!

32. Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.

33. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''.

34. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e do të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë.

35. Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''.

36. Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 9