16. Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre.
17. E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Është një profet''.
18. Por judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
19. Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''.
20. Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
21. por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''.
22. Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; sepse judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
23. Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''.
24. Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''.
25. Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''.
26. E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''.
27. Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''.