Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 7:6-26 Bibla Shqip (ALBB)

6. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.

7. Bota nuk mund t'ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.

8. Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar''.

9. Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.

10. Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.

11. Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshin: ''Ku është ai?''.

12. Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshin: ''Ai është i mirë!''. Të tjerë thoshin: ''Jo, madje ai e mashtron popullin''.

13. Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e judenjve.

14. Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.

15. Dhe judenjtë mrekulloheshin duke thënë: ''Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?''.

16. Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: ''Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.

17. Në qoftë se dikush do të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.

18. Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

19. A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?''.

20. Turma u përgjigj dhe tha: ''Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?''.

21. Jezusi u përgjigj dhe u tha: ''Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mrekulluar.

22. Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.

23. Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësisht një njeri të shtunën?

24. Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!''

25. Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: ''A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?

26. E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7