4. Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!''.
5. Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.
6. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.
7. Bota nuk mund t'ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.
8. Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar''.
9. Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.
10. Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.
11. Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshin: ''Ku është ai?''.
12. Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshin: ''Ai është i mirë!''. Të tjerë thoshin: ''Jo, madje ai e mashtron popullin''.
13. Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e judenjve.
14. Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
15. Dhe judenjtë mrekulloheshin duke thënë: ''Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?''.
16. Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: ''Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
17. Në qoftë se dikush do të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
18. Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
19. A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?''.
20. Turma u përgjigj dhe tha: ''Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?''.