Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 7:34-45 Bibla Shqip (ALBB)

34. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini''.

35. Prandaj judenjtë thoshin në mes tyre: ''Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis grekëve, dhe të mësojë grekët?

36. Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?''.

37. Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ''Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

38. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë''.

39. Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

40. Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: ''Ky është me të vërtetë Profeti!''.

41. Të tjerë thoshin: ''Ky është Krishti''. Kurse të tjerë thoshin: ''Vallë nga Galileja vjen Krishti?

42. A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?''.

43. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44. Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45. Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ''Pse nuk e sollët?''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7