Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 5:10-20 Bibla Shqip (ALBB)

10. Prandaj judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Është e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''.

11. Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''.

12. Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''.

13. Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14. Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''.

15. Ai njeri shkoi dhe u tregoi judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16. Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.

17. Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''.

18. Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

19. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 5