Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 4:27-41 Bibla Shqip (ALBB)

27. Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''.

28. Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

29. ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''.

30. Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.

31. Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''.

32. Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''.

33. Prandaj dishepujt i thoshin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''.

34. Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

35. A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

36. Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen së bashku.

37. Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

38. Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''.

39. Dhe shumë samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ''Ai më tregoi gjithçka kam bërë''.

40. Por kur samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.

41. Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 4