Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 21:8-20 Bibla Shqip (ALBB)

8. Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

9. Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10. Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''.

11. Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12. Jezusi u tha atyre: ''Ejani të hani mëngjes''. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ''Kush je?'', duke ditur se ishte Zoti.

13. Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14. Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.

15. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''.

16. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''.

17. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.

18. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t'i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje''.

19. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç'vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ''Ndiqmë''.

20. Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: ''Zot, kush është ai që po të tradhton?''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 21