Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 20:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.

2. Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: ''E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë''.

3. Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.

4. Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.

5. Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.

6. Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,

7. dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.

8. Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.

9. Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

10. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

11. Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

12. dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

13. Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 20