13. Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";
14. tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha judenjve: ''Ja mbreti juaj''.
15. Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''.
16. Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
17. Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",
18. ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.
19. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".
20. Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21. Prandaj krerët e priftërinjve të judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i judenjve"''.
22. Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''.
23. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.