11. Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''.
12. Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''.
13. Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";
14. tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha judenjve: ''Ja mbreti juaj''.
15. Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''.
16. Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
17. Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",
18. ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.
19. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".
20. Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21. Prandaj krerët e priftërinjve të judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i judenjve"''.
22. Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''.
23. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.
24. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ''Nuk e grisim, por hedhim short kujt t'i bjerë''; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ''I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time''. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.
25. Por afër kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.
26. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''.
27. Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.
28. Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''.
29. Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një degë hisopi, ia afruan te goja.
30. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.