Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 18:17-36 Bibla Shqip (ALBB)

17. Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ''Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?''. Ai u përgjigj: ''Nuk jam''.

18. Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.

19. Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.

20. Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi.

21. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''.

22. Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''.

23. Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''.

24. Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kaiafa, kryeprifti.

25. Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''.

26. Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''.

27. Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.

28. Pastaj nga Kaiafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.

29. Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''.

30. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''.

31. Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''.

32. Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste.

33. Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i judenjve?''.

34. Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''.

35. Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''.

36. Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 18