Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 16:22-33 Bibla Shqip (ALBB)

22. Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t'ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t'ua heqë gëzimin tuaj.

23. Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë.

24. Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

25. Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t'ju flas më me shëmbëlltyra, por do t'ju flas haptas për Atin.

26. Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t'i lutem Atit për ju;

27. Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.

28. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati''.

29. Dishepujt e tij i thanë: ''Ja, ti tani po flet haptas dhe s'po përdor asnjë shëmbëlltyrë.

30. Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s'ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia''.

31. Jezusi u përgjigj atyre: ''A besoni tani?

32. Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

33. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 16