Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 13:14-29 Bibla Shqip (ALBB)

14. Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit.

15. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

16. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17. Po t'i dini këto gjëra, të lum jeni ju nëse do t'i bëni.

18. Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".

19. Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.

20. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''.

21. Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.

22. Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.

23. Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.

24. Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.

25. Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''.

26. Jezusi u përgjigj: ''Është ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.

27. Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''.

28. Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.

29. Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 13