Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 12:36-49 Bibla Shqip (ALBB)

36. ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.

37. Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,

38. që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''.

39. Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:

40. ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''.

41. Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.

42. Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,

43. sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.

44. Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.

45. Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.

46. Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.

47. Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.

48. Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.

49. Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 12