Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 11:15-32 Bibla Shqip (ALBB)

15. Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''.

16. Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''.

17. Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.

18. Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

19. Dhe shumë judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t'i ngushëlluar për vëllanë e tyre.

20. Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.

21. Marta i tha Jezusit: ''Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,

22. por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t'i japë''.

23. Jezusi i tha: ''Yt vëlla do të ringjallet''.

24. Marta i tha: ''E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit''.

25. Jezusi i tha: ''Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

26. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?''.

27. Ajo i tha: ''Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë''

28. Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: ''Mësuesi është këtu dhe po të thërret''.

29. Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.

30. Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.

31. Prandaj judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: ''Ajo po shkon te varri për të qarë aty''.

32. Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ''Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 11