Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 11:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.

2. Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.

3. Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''.

4. Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''.

5. Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.

6. Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.

7. Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''.

8. Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''.

9. Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,

10. por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''.

11. Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''.

12. Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''.

13. Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 11