Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 1:26-44 Bibla Shqip (ALBB)

26. Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.

27. Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''.

28. Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

29. Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!

30. Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".

31. Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''.

32. Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.

33. Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".

34. Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.

35. Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.

36. Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.

37. Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.

38. Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ''Ç'kërkoni?''. Ata i thanë: ''Rabi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?''.

39. Ai iu përgjigj atyre: ''Ejani e shikoni''. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.

40. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.

41. Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ''E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"'';

42. dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ''Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"''.

43. Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ''Ndiqmë!''.

44. Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 1