Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Filipianëve 1:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët:

2. paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

3. E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj,

4. duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj,

5. për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani,

6. duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.

7. Dhe është e drejtë që unë të ndiej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjesëtarë me mua të hirit.

8. Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht.

9. Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim,

10. që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,

11. të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.

12. Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit,

13. aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin;

14. dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë.

15. Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë.

16. Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t'u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia.

Lexoni kapitullin e plotë Filipianëve 1