Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 e Korintasve 1:7-19 Bibla Shqip (ALBB)

7. Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.

8. Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë.

9. Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit,

10. i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më,

11. me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve.

12. Mburrja jonë, në fakt, është kjo: dëshmimi i ndërgjegjes sonë se ne jemi sjellë me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perëndisë në botë dhe sidomos përpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Perëndisë.

13. Sepse ne nuk ju shkruajmë të tjera gjëra, përveç atyre që ju mund të lexoni dhe të kuptoni; dhe unë shpresoj se do t'i kuptoni deri në fund;

14. sikurse i keni kuptuar tanimë deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do të jeni mburrja jonë, në ditën e Jezu Krishtit.

15. Dhe me këtë siguri unë doja të vija te ju më përpara që të kishit një vepër të mirë të dytë,

16. dhe, nga ju të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju dhe ju të më përcillnit në Jude.

17. Kur mora këtë vendim, vallë mos kam vepruar me mendjelehtësi? Apo ato që unë vendos, i vendos sipas mishit, që të jetë tek unë po, po dhe jo, jo?

18. Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo.

19. Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë "po" dhe "jo", por ka qenë "po" në atë.

Lexoni kapitullin e plotë 2 e Korintasve 1