Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 e Korintasve 7:25-36 Bibla Shqip (ALBB)

25. Por për sa u takon virgjëreshave, s'kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.

26. Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.

27. Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.

28. Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t'ju kursej juve.

29. Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;

30. dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;

31. dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.

32. Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t'i pëlqejë Zotit;

33. por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë gruas së tij.

34. Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë burrit.

35. Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t'ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t'i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.

36. Por në qoftë se dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.

Lexoni kapitullin e plotë 1 e Korintasve 7