Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 e Korintasve 16:12-24 Bibla Shqip (ALBB)

12. Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s'deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.

13. Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë.

14. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!

15. Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve),

16. ju bëj thirrje që t'u nënshtroheni edhe ju atyre dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët.

17. Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj,

18. sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë.

19. Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshëndesin shumë në Zotin.

20. Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.

21. Të fala me shëndet me dorën time, të Palit.

22. Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maran-atha.

23. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju.

24. Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.

Lexoni kapitullin e plotë 1 e Korintasve 16