Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 e Korintasve 15:22-35 Bibla Shqip (ALBB)

22. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,

23. por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij

24. Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.

25. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.

26. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.

27. Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.

28. Dhe kur t'i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t'i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.

29. Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?

30. Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?

31. Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.

32. Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç'dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.

33. Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.

34. Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.

35. Por do të thotë ndonjë: ''Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?''.

Lexoni kapitullin e plotë 1 e Korintasve 15