Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 e Korintasve 12:16-31 Bibla Shqip (ALBB)

16. Dhe sikur veshi të thoshte: ''Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit?

17. Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?

18. Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.

19. Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?

20. Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.

21. Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: ''Unë nuk kam nevojë për ty''; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: ''Unë nuk kam nevojë për ju''.

22. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;

23. dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijeshi.

24. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,

25. që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.

26. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.

27. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.

28. Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.

29. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?

30. A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?

31. Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t'ju tregoj një udhë shumë më të lartë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 e Korintasve 12