1. Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite.
2. Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë që ishte i çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit, që quhet ‘e Bukura’, për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.
3. Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë.
4. Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë dhe i thanë: «Na shiko!».
5. Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre,
6. por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!».
7. Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet.
8. Ai brofi në këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë.
9. I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë.
10. Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te ‘Dera e Bukur’ e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.