19. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.
20. Ti i njeh urdhërimet: Mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero babanë e nënën!».
21. Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».
22. Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».
23. Po kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
24. Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
25. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».
26. Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».
27. Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
28. Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje».
29. Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë,
30. nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
31. Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha:«Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet.
32. Ai do t’u dorëzohet paganëve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë
33. dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet».
34. Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
35. Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte.