16. Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.
17. Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,
18. për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
19. Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.
20. Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".
21. Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili sipas llojit të vet, e çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
22. Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".
23. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.
24. Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.