1. O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë përgjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2. Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3. Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4. Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5. Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dendur të një pylli.
6. Dhe tani me sqeparë dhe çekanë po prishin tërë skulpturat e tij.
7. I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8. Kanë thënë në zemër të tyre: "T'i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9. Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10. Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11. Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12. Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13. Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshave të detit në ujërat.
14. Copëtove kokat e Leviathanit dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15. Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.