1. Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2. O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3. Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4. Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5. Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6. Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7. Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8. duke thënë: "Ai i ka besuar Zotit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9. Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënës; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi gjinjtë e nënës sime.
10. Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënës sime.
11. Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12. Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13. ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14. Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.