1. Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.
2. Është më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi se sa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu, dhe kush rron ka për të vënë mend.
3. Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë.
4. Zemra e të urtit është në shtëpinë ku mbahet zi, por zemra e budallenjve është në një shtëpi të gëzuar.
5. Është më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit se sa të dëgjojë këngën e budallenjve,
6. sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.
7. Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.
8. Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenar.
9. Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.
10. Mos thuaj: "Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?", sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.
11. Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.
12. Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.
13. Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrembër?
14. Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkeqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njërën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.