9. Levitët do t'ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t'u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit.
10. Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje".
11. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
12. "Ja, unë i mora levitët nga gjiri i bijve të Izraelit në vend të çdo të parëlinduri që çel barkun e nënës midis bijve të Izraelit; prandaj levitët do të jenë të mitë,
13. sepse çdo i parëlindur është imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të mitë. Unë jam Zoti.
14. Pastaj Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, duke i thënë:
15. "Bëj regjistrimin e bijve të Levit në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre; do të bësh regjistrimin e të gjithë meshkujve një muajsh e lart".
16. Kështu Moisiu bëri regjistrimin sipas urdhrit të Zotit ashtu siç ishte urdhëruar.
17. Këta janë bijtë e Levit, sipas emrave të tyre: Gershoni, Kehathi dhe Merari.
18. Këta janë emrat e bijve të Gershonit, sipas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei;
19. bijtë e Kehathit, sipas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli;
20. bijtë e Merarit, sipas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre.
21. Nga Gershoni rrjedhin familja e libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e gershonitëve.