2. "Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.
3. Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.
4. Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i hitenjve deri në Detin e Madh, në perëndim.
5. Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.
6. Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre.
7. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.
8. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.
9. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".
10. Atëherë Jozueu urdhëroi oficerët e popullit, duke u thënë:
11. "Kaloni përmes kampit dhe jepini popullit këtë urdhër, duke i thënë: Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi".
12. Jozueu u foli gjithashtu rubenitëve, gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit, duke u thënë:
13. "Mbani mend fjalën që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju urdhëroi kur ju tha: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë pushim dhe ju ka dhënë këtë vend.