15. Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.
16. A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?
17. Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?
18. A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!
19. Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,
20. që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?
21. Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.
22. Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshrit,
23. që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?
24. Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?
25. Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,
26. që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,
27. për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?
28. Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?
29. Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?
30. Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.
31. A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?
32. A i bën ti të duken yjësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?