1. Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
2. Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
3. "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
4. Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
5. E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
6. Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
7. Po, ajo natë qoftë natë shterpë, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
8. E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
9. U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
10. sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
11. Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
12. Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe gjinjtë për të pirë?
13. Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,