1. Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:
2. "Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,
3. derisa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,
4. buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.
5. Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.
6. Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.
7. Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.
8. Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?
9. A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?
10. A do t'i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?
11. Do t'ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t'ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.
12. Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?